
Produkti

“Finalja e vogël” shkon për ballkanasit, Kroacia ekipi i tretë më i mirë i Qatar 2022

Sot në orën 16:00 nisi sfida që pa përballë Kroacinë me Marokun, ekipet "surprizë" të këtij Botërori, të cilat u mundën në gjysmëfinale dhe që luajtën për vendin e tretë më të mirë në Qatar 2022.
Ndeshja në fakt ishte tepër e bukur dhe emocionuese dhe kjo u dallua që në fillimin e lojës. Në minutën e 7-të, mbrojtësi Gvardiol shënoi një gol të bukur me kokë të asistuar nga Perisic, por festa nuk zgjati shumë, pasi pothuajse e njëjta skemë si e kroatëve, bëri që Maroku të barazonte rezultatin në minutën e 9-të me anë të Dari, i cili gjithashtu shënoi me kokë.
Pas disa tentativash nga të dyja palët, konkretizimi erdhi nga Kroacia, ku një top pa shumë pretendime i servirur nga Livaja për Orsic, u shëndrrua nga ky i fundit në mënyrë perfekte në golin e dytë dhe të avantazhit dhe me rezultatin 2-1 skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë ishte pa gola, por më e bukur nga intensiteti i lojës. Kroacia dhe Maroku patën të dyja shumë raste, por finalizimi mungoi si te njëra, ashtu edhe te tjetra. Kështu ballkanasit arritën të triumfonin duke marrë "medaljën e bronzit" në këtë kampionat, ndërsa kujtojmë që Botërorin e kaluar doli si e dyta më e mirë, pasi u mposht nga Franca në finalen e madhe.
Rezultate shumë të mira në Botëroret e fundit nga Kroacia që duket në fund të një cikli, por nisur nga lojtarët që ka, po ashtu është edhe në prag të një tjetër cikli të ri lojtarëish cilësor e që mund të bëjnë edhe më mirë në kompeticionet e ardhshme. Po ashtu një rezultat shumë i mirë edhe për Marokun që bëhet skuadra e parë afrikane që arrin në këtë stad të një Botërori dhe del e 4-ta në botë. /News31