SPORT 23 Shkurt 2022, 20:43

Eurodeputetët thirrje UEFA-s: "Anuloni finalen Champions League në Rusi"

Eurodeputetët thirrje UEFA-s: "Anuloni finalen Champions League

Viola von Cramon, eurodeputetja gjermane, i ka dërguar një letër presidentit të UEFA Aleksander Ceferin, që të anulojë zhvillimin e finales së Ligës së Kampionëve në Shën Petersburg të Rusisë pas vendimit të Putinit për njohen e rajoneve te kontestuara të Ukrainës si dhe të përfundojë bashkëpunimin me Gazpromin rus.

Në letër, eurodeputetja Von Cramon së bashku me disa eurodeputetë të tjerë kanë kërkuar që Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s të ndalë bashkëpunimin me Gazpromin si sponsor i UEFA-s

“Pas situatës shqetësuese dhe kërcënimit për luftë të cilat po i provokon Rusia dhe vendimi i Presidentit Putin për të njohur dy rajonet seperatiste në Ukrainë, ne nënshkruesit e kësaj letre ju bëjmë thirrje juve personalisht dhe UEFA-s që të marrë veprime të përshtatshme dhe konsistente. Ne ju bëjmë thirrje që të mos e konsideroni Shën Petersburgun dhe qytetet tjera ruse si vende për gara ndërkombëtare të futbollit dhe të zgjedhni si hap të parë dhe urgjent një tjetër lokacion për finalen e Ligës së Kampionëve më 28 maj 2022.

Për më tepër, ne apelojmë nga ju që të organizoni një mbledhje të veçantë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të përfunduar bashkëpunimin me Gazpromin si sponsor i UEFA-s dhe të konsideroni sanksionet kundër zyrtarëve rusë të cilët janë bashkëkryerës në shkeljen e ligjit ndërkombëtar”, thuhet në letër.