SPORT 3 Korrik 2022, 18:30

Cila do të jetë teknologjia e re që do të prezantohet në Botërorin e Katarit këtë vit?

Cila do të jetë teknologjia e re që do të prezantohet

FIFA ka konfirmuar se një sitem gjysëm-automatik i pozicionit jashtë loje do të përdorët këtë vit në Kupën e Botës që do të zvhillohet në Katar. Teknologjia e re do të përdorë një sistem kamerash që do të ndjekin lëvizjet e gjymtyrëve të lojtarëve, po ashtu edhe një sensor që do të vendoset në çdo top.

Çdo stadium në Katar do të ketë 12 kamera poshtë tavaneve të tyre, të cilat do të sinkronizohen për të ndjekur 29 pika të dhënash në trupin e çdo lojtari, 50 herë për sekondë. Këto të dhëna do të procesohen nëpërmjet inteligjencës artificiale për të krijuar një linjë 3D të pozicionit jashtë loje, e cila do t’i shfaqet zyrtarëve të VAR.

Ndërkohë sensori tek topi ndjek shpejtësinë e tij dhe tregon fiks momentin kur pasi decisiv jepet, për t’u lidhur më pas me të dhënat e linjës së pozicionit jashtë loje. Në pak sekonda pas një pozicioni të dyshimtë, një specialist i skuadrës VAR mund të kontrollojë manualisht të dhënat për pozicionin e sulmuesit, mobrojtësit dhe të momentit kur është dhënë pasimi, ndërsa vendimin e tij do ta japë kryesuesi i VAR-it nëpërmjet audios për gjyqtarin kryesor. Kështu, dallimi i një pozicioni jashtë loje nuk do të marrë më shumë se 20-25 sekonda, krahasuar me 70 sekondat që merr normalisht tani.

Kjo teknologji do të tregojë imazhe 3D në ekranet e stadiumit të asaj që arbitri është duke parë në dhomën e VAR, në mënyrë që edhe tifozët të kuptojnë vendimin e tij, ndërsa do t’i tregohet edhe atyre që shohin nga televiziori, në momentin që loja ndalon sërish.

"Pozicioni jashtë loje gjysëm automatik është një evolucion i sistemit VAR që tashmë është i implementuar në të gjithë botën. Kjo teknologji është fryti i një pune kërkimore 3-vjeçare që do të sjellë më të mirën për skuadrat, lojtarët dhe fansat, të cilët do të jenë në Kupën e Botës në Katar. FIFA është shumë krenare për këtë zhvillim”- tha Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që zhvillime teknologjike të këtij lloji do të prezantohen në një Kupë Bote, madje është hera e tretë radhazi. Teknologjia e vijës së golit u bë gati për vitin 2014, pas një gabimi të madh në arbitrim në vitin 2010, ndërkohë që në 2018, VAR-i u përdor në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës në Rusi për herë të parë.

/News31