SPORT 16 Mars 2022, 22:03

Bledi Shkëmbi në një intervistë “pa dorashka” për familjen, karrierën dhe biznesin

Bledi Shkëmbi në një intervistë “pa dorashka”

Bledi Shkëmbi, i ftuari i Lei Krajës në “Ditë pas Dite” me Fjodora Fjorën, foli për karrierën si futbollist e trajner, komentoi marrëdhënien me familjen dhe lidhjen e fortë me Ukrainën duke qenë se ka luajtur për dy vite atje.

Situata e luftës, sigurisht e ka prekur shumë, por ai tregoi se është në komunikim të vazhdueshëm me miqtë atje, të cilët për momentin janë mirë.

Babai i dy vajzave tha se do të donte një djalë futbollist, por edhe sikur të bëhej baba për herë të tretë nuk do ishte i sigurt për karrierën që do donte të ndiqte i biri.

Sidoqoftë, vajza e tij e madhe ishte tifoze e futbollit dhe e shoqëronte Bledin për të parë ndeshjet.

“Unë e kuptova që kur ju afrova të tridhjetave që futbollistët kanë një datë skadence kështu që ju futa biznesit,” – u shpreh ai ndërsa foli dhe për biznesin e tij i cili i sjell të ardhura dhe është i suksesshëm.

Bledi Shkëmbi ka qenë trajneri i Dinamos dhe për momentin tha se është pa punë, duke qenë se së fundmi u largua dhe nga ky pozicion.