Sot 109-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, nis zyrtarisht puna për aeroportin e Vlorës
Shqipëria feston sot 109-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. Ndërkohë 28 nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit.
Ndërkohë një vit më parë për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese në vendin tonë qenë të ndaluara festimet me grumbullime të shumta, ndërsa këtë vit Ministria e Brendshme vetëm dy ditë para festimeve ka bërë me dije se shqiptarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa asnjë pengesë.
Kryeministri Edi Rama e ka uruar festën me një mënyrë të veçantë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama ka zgjedhur që urimin për ditën e Flamurit ta shoqërojë me disa foto të stemës së aeroportit të Vlorës. Kujtojmë që sot ka nisur puna zyrtarisht për ndërtimin e aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Pritet që kryeministri të vizitojë aeroportin, për të parë nga afër dhe nisjen e punimeve.
Sakaq, kjo datë shënon dy momente të veçanta për historinë e vendit tonë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar, mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë, shtet sovran dhe të pavarur.
/News31