Soni Malaj për marrëdhënien e saj me Florin: “La dhimbjen e tij mënjanë për t’mu gjendur mua pranë”



Këngëtarja e njohur Soni Malaj ishte e ftuar ditën e sotme në emisionin “ABC e pasdites” ku foli ndër të tjera rreth këngës “Versioni im”, me të cilën ajo konkurron në “Kënga Magjike”. Ajo u ndal te marrëdhënia e saj me Florin duke u shprehur se e vlerësonte jashtëzakonisht shumë gjithë punën dhe vëmendjen profesionale në këtë moment të vështirë të jetës së tij, pasi para disa javësh humbi të ëmën. Soni u shpreh se ata kanë qenë ndër vite në kontakt me njëri-tjetrin dhe gëzojnë shumë respekt.





“Po unë me Florin kemi pasur marrëdhënie njerëzore të vazhdueshme pavarësisht se nuk e kemi bërë kaq publike. Ndër vite kemi qenë në kontakt dhe ruajmë një respekt shumë të madh për njeri tjetrin. Ne rrugëtimin tonë njerëzor e kemi nisur si miq dhe jemi prapë miq. Me gjithë kohën jo të mirë që Flori po kalon me ndarjen nga jeta të njeriut më të rëndësishëm të jetës së tij, përkushtimi i tij ndaj meje, ndaj materialit ka qenë maksimal. Ka lënë dhimbjen e tij mënjanë për t’mu gjendur mua pranë në këtë konkurs dhe për të më përkrahur”.

Pak ditë më parë Soni ka treguar se nuk kishte në plan të merrte pjesë në festival këtë vit, duke shtuar se kur kishte dëgjuar këngën ishte emocionuar dhe madje kishte qarë. “Versioni im” është shkruar nga Flori ndërsa për vijën melodike është kujdesur Bruno. Për hir të së vërtetës na kishin munguar tekstet e Sonit për zemërthyerit apo të dashuruarit ku të gjithë e gjenim vete dhe me siguri kjo do jetë një këngë që do mbahet mend gjatë, njësoj si “Ndarja”, “Të dua ty” etj.

/News31