Shpat Kasapi ka vendosur të martohet në 35-vjetorin e tij
Shpat Kasapi është duke shijuar romancën me një vajzë, kështuqë vështirë se do ta shohim më 'single'. E dashura e Shpatit quhet Sevdije dhe nga të dhënat e derimëtanishme, ajo është sipërmarrëse e një qendre estetike të frekuentuar nga personazhet e njohur në Maqedoni.
Pak javë më parë, "Prive" publikoi disa foto ku Shpati shihet nën shoqërinë e partneres, duke konfirmuar kështu lidhjen mes çiftit. Njëkohësisht, edhe komentet e shkëmbyera mes njëri-tjetrit në rrjetet sociale kanë dëshmuar se dashuria është në ajër për dyshen. Sipas "Panorama Plus", burime pranë çiftit kanë zbuluar se me ardhjen e 35-vjetorit të Shpatit, këngëtari do ta kurorëzojë me martesë romancën me Sevdijen.
Kjo ishte edhe dëshira e së ëmës së këngëtarit nga Maqedonia, e cila në një intervistë të mëhershme u shpreh se në atë moshë dëshiron ta shohë të birin dhëndër. “Kam një dëshirë: që Shpati vitet e ardhshme të dalë në emisionet tuaja me një nuse, dëshiroj një nuse”, tha për "Ftesë në 5" mamaja e këngëtarit disa kohë më parë. Shpati nuk ka konfirmuar ende lajmet që po qarkullojnë së fundmi për të. /News31