Shkurti u mbyll me bilanc të zi, Rakacolli: “Variantet e reja të Covid-19 infektojnë më shumë njerëz!”



Ndonëse qeveria ka vendosur mos t’i përforcojë masat, statistikat  tregojnë se muaji shkurt ishte me bilancin më negativ të viktimave dhe rasteve të re që nga nisja e pandemisë. Ditën e sotme zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, në një intervistë për News24 ka deklaruar se variantet e reja të koronavirusit mund të kenë mbërritur në vendin tonë.


 “Përderisa ne kishim numrin më të madh të infektimeve këtë muaj, padyshim që mund të kishte dhe fatalitete. Pastaj, kemi ndryshime shumë të mëdha, që besoj do të vërtetohen edhe laboratorikisht, që kemi edhe variantet e reja të koronavirusit, që ka transmetueshmëri më të lartë. Pra, varianti britanik është më infektiv, mund të infektojë 4-5 njerëz, ndryshme nga i pari që mund të infektonte 1-2 njerëz. Gjithashtu, duhet thënë që edhe njerëzit, të lodhur nga pandemia, nuk i respektojnë masat. Janë një grup shkaqesh, që çuan në këtë bilanc. Të mos harrojmë që edhe stina e dimrit e rrit infektueshmërinë.”

E pyetur se kur mund të kemi përgjigje për variantet e reja, që po qarkullojnë zyrtarisht në vendin tonë, numri dy i Shëndetësisë në vendin tonë tha:

“Po kërkojmë me insistim, por akoma nuk kemi një përgjigje. Na thonë që janë në proces. Nuk na jep njeri përgjigje. Në Londër na thonë që është laboratori numër një në botë për këtë variant. Ne mendonim se do i kishim përgjigjet që në javën e fundit të shkurtit, menduam që do i kemi këto dy ditë, por të presim tani. Ne marrim edhe dy herë në ditë në telefon këtë laborator. Nuk varet më asgjë nga ne. Dyshimet janë për një variant ndryshe të Sars Cvodi-2. Ne dimë thjesht që kemi virus të ndryshëm nga ai klasiku.”

Sa i përket lirimit të mjekut Edvin Prifit, ku u la në fuqi vetëm masa e pezullimit nga detyra për korrupsioni, Rakacolli deklaroi se fenomeni i korrupsionit ekziston dhe se nuk është një fenomen vetëm në shëndetësi, nuk ndryshon menjëherë, do një proces.

/News31.al