Shkarkimi i Metës, juristi zbulon paligjshmërinë: "Është shkelje!"
Ditën e djeshme Partia Socialiste ka mbledhur votat për nismën e saj për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta, duke arritur në 50 firma deputetësh. Në dokumentin e prezantuar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla pretendohet se ka prova që inciojnë shkarkimin e presidentit, duke pretenduar se kreu i shtetit është përfshirë në fushatë elektorale edhe pse ligji e ndalon.
Ndërkohë, mbrëmjen e sotme avokati Saimir Vishaj i ftuar në “Open” tha se maxhoranca nuk ka të drejtë të marrë veprime politike pa u certifikuar zgjedhjet. Sipas tij, duhet fillimisht që KQZ të certifikojë zgjedhjet e më pas ata të veprojnë.
"Për sa kohë maxhoranca nuk është e certifikuar nuk mund të marrë veprime politike. Nuk është kompetencë e parlamentit. Nëse do të flasim si jurist nuk na takon të lëmë emocionin para kushtetutës. Presidenti ka një kompetencë lëndore që i merr për bazë vetëm SPAK. Nëse kemi thirrje apo nxitje kundër turmave e ka në dorë vetëm SPAKU. Ata po punojnë tej normave. Deri më sot komisionet hetimore kanë dështuar. Nëse sot do të vetëquhesh maxhorancë duhet të certifikohen zgjedhjet pastaj. Vetëm për ligje të jashtëzakonshme është maxhorancë. Nuk e kalon dot sepse ky presidenti ka dalë me propozim të 23 deputetë nga vota të përbashkëta të subjekteve politike. Ata që janë në parlament janë zgjedhur me listat sepse u ra fati. Jemi në pritje të një qetësie për të dëgjuar KQZ për certifikim të zgjedhjeve. Sot duhet të flitet a është shkelur Kushtetuta."
Vetë Presidenti Ilir Meta ka reaguar ditën e djeshme pas dokumentit që u depozitua nga deputetët e Partisë Socialiste për shkarkimin e tij. Me anë të një postimi të bërë në ‘Facebook’ ai shkruan se asgjë nuk ka përfunduar e se do të vazhdojë të ndjekë procesin deri në fund. Meta shkruan në fund se duhet të merrem me hetimin e krimeve zgjedhore.
/News31