“Serbia po e kërcënon Kosovën me luftë”, media gjermane Bild shkruan për tensionet në rajon
Prej një jave tanimë, situata në veri të Kosovës është mjaft e tensionuar. Shkak është bërë reciprociteti, marrëveshja që i detyron serbët që futen në Kosovë, të ndërrojnë targat e tyre me të përkohshme kosovare. Situata ka agravuar, dhe Serbia ka dërguar ushtrinë pranë kufirit në Jarinjë.
Konflikti ka qenë në vëmendje edhe të ndërkombëtarëve, dhe kanë qenë të shumta mediat që kanë shkruar.
Së fundmi edhe gazeta prestigjoze gjermane “Bild” ka shkruar lidhur me këtë, duke e konsideruar serioz kërcënimin e Serbisë për Kosovën e cila i ka dhënë një ultimatum 24-orësh NATO-s. Në faqen e parë të Bild shkruhet: “Serbia e kërcënon Kosovën me luftë, ultimatum 24-orësh për NATO-n”. Gazeta gjermane shkruan se ky mund të shndërrohet në një konflikt të armatosur mes atyre që cilësohen si aleatët e Rusisë në Beograd dhe qeverisë së mbrojtur nga NATO në Prishtinë.
Të dielën në mbrëmje Serbia vuri në gatishmëri një pjesë të ushtrisë së saj, që ka disa ditë që lëviz tanket në kufi me Kosovën duke folur për një provokim nga Kosova. Ndërkohë, KFOR-i është duke e monitoruar nga afër situatën në të gjithë Kosovën, duke rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun.
/News31