Studimi i ri tregon sa zgjat imuniteti ndaj Covid-19 pas infektimit
Universiteti i Oxford ka publikuar një studim të ri, ku bëhet me dije se personat të cilët janë prekur dhe shëruar nga Covid-19, nuk ka gjasa të infektohen sërish, të paktën brenda 6 muajve nga infeksioni i parë.
Kërkimi dhe të dhënat e publikuara janë një lajm i mirë për më shumë se 51 milion njerëz që janë infektuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë, teksa studimi është bazuar tek punonjësit e shëndetësisë të cilët janë prekur nga Covid, një grup me rrezik të lartë infektimi.
“Ky është me të vërtetë një lajm i mirë pasi tani mund të jemi të sigurt që të paktën për një periudhë afatshkurtër, shumica e atyre që janë shëruar nga Covid-19 nuk do të infektohen përsëri”- tha David Eyre, profesor i Oxford dhe një nga autorët e studimit.
Në fakt ky kërkim nisi pasi rastet ri-infektimit, sado të rralla, kishin ngritur shqetësime se imuniteti nga koronavirusi mund të jetë jetëshkurtër dhe se pacientët e rikuperuar mund të prekeshin sërish nga virusi. Por rezultatet e studimit tregojnë se ri-infektimi është jashtëzakonisht i rrallë.
“Infektimi me Covid-19 mbron shumicën e njerëzve nga ri-infeksioni për të paktën 6 muaj. Ne nuk gjetëm një infeksion të ri simptomatik në asnjë prej subjekteve të cilët kishin zhvilluar antitrupa,” - tha profesori i Oxford, ndërkohë që zbuloi se kërkimi zgjati 30 javë, midis prillit dhe nëntorit të këtij viti.
Edhe pse përfundimet nuk janë shqyrtuar ende nga shkencëtarë të tjerë, të dhënat duken mjaft premtuese, sidomos për ata që e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm.
/News31
Burimi: CNBC