Rënia e flokut pas Covid, çfarë duhet të bëjmë? (nga dermatologia Erjona Shehu)



Janë të shumta rastet kur kemi rënie të flokut në individë të cilët kanë kaluar Covid-in. Këto rënie shqetësuese, shkaktohen përgjithësisht kur një individ kalon një periudhë me temperaturë të lartë dhe stres të rritur.


Infeksioni nga Covid-19 solli me vete shumë të papritura dhe pas një viti bashkëjetesë me të, rënia e flokut është një ndër vuajtjet më të shpeshta të anekseve të lëkurës.
Kjo situatë mund të zgjasë nga 6 deri në 9 muaj, por individët që po e kalojnë nuk duhet të stresohen. Rënia e flokut ndodh normalisht dhe faza gjatë së cilës ndodh quhet telogen effluvium. Në individët post- Covid ajo zgjat më shumë se zakonisht.

Çfarë duhet të bëjmë?

1. E para duhet reduktuar stresi dhe të mos e përjetojmë këtë humbje të përkohshme të flokut si tragjedi. Stresi në vetvete rrit rënien e flokut.
2. Mund të marrim vitamina për flokët në farmaci dhe t’i pimë sipas rekomandimeve të dermatologut.
3. Nuk duhet t’i thajmë flokët me ujë shumë të nxehtë.
4. Nuk duhet të bëjmë tërheqje ekstreme të flokut dhe stilime agresive.
5. Sa më pak stilues të tipit: llak, xhel apo shkumë.