Reagon i prekur pas shkarkimit nga Vetting-u prokurori Anton Martini: “Shteti im më ‘pushkatoi'”



Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi dje nga detyra Prokurorin e Tiranës, Anton Martini. Ky shkarkim erdhi pas deklarimit të pasaktë të pasurisë dhe mungesën e burimeve të ligjshme për periudhën 2003-2016. Në lidhje me këtë vendim të KPA, Martini ka reaguar duke thënë se ishte i përgatitur, ndërsa shton se ai kishte informacione se po punohej fort dhe në mënyrë të kamufluar kundër tij. Teksa e quan pushkatim vendimin e KPA, Martini shton se beteja e tij ligjore do vazhdojë me shpresë që e drejta do të vihet në vend. Ai nuk lë pa përmendur edhe ndërkombëtarët që sipas tij dje dështuan të monitorojnë këtë proces.






“Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të mi! Dje nuk ishte një ditë e mirë për mua dhe familjen time.Padyshim, që isha i përgatitur edhe për këtë vendim, sepse kisha të gjithë të dhënat e nevojshme që po punohej fort dhe në menyrë të kamufluar kundër meje. Me këtë, nuk dua ta mbivlerësoj për asnjë moment veten time, më besoni. Dje, shteti im më “pushkatoi” mua dhe familjen time, në mënyrë krejt të padrejtë e të pabesë, shtet për të cilin, prej 23 vitesh punova shumë shumë fort, duke u munduar te ruaj e të mos cënoj për asnjë moment besimin ndaj qytetareve të mi. Dje, faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj meje, rol të cilin parlamentarët e vendit tim, j`ua besuan nëpërmjet dispozitave kushtetuese. Jam sigurisht i mërzitur nga vendimi i djeshëm, por pavarësisht kësaj, dua që sot, të falenderoj çdo mik dhe bashkëpunëtor timin, që kam pasur ndër vite, me të cilët kemi ndarë orët e gjata dhe netët pa gjumë, për të punuar që ky vend të behej më i sigurtë.Falenderoj nga zemra çdo qytetar që më ka mbështetur me fjalë e komente gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë besuar te parimet që unë mbroj. Beteja ime ligjore do vazhdojë, me shpresë, që e drejta e cënuar, të vihet në vend. Duke e përfunduar këtë përshendetje me plot emocion nga unë, dua ta mbyll me një pasazh nga një bashkëbisedim që pata mbrëmë në orët e vona, me një mikun tim të ardhur nga larg në shenjë solidariteti me familjen time në këto momente, i cili më pyeti; “këta që të kanë rënë në qafë ty dhe fëmijëve te tu, si mund t’i zëjë gjumi të qetë”? – e si përgjigje nga unë, mori një shprehje biblike e cila mu kujtua në çast; ” Fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”!”, shkruan Martini.

Shumë njerëz mendojnë që ky vendim ishte i padrejtë, një ndër ta edhe gazetarja e “News 24” Klodiana Lala, e cila ditë më parë ka bërë një shkrim për reformën në drejtësi, ku përfshihej edhe prokurori Anton Martini.

“Kur Reforma në Drejtësi u artikulua ne fillim si një shpikje që do të gjeneronte më në fund drejtësinë e munguar, të gjithë u shprehën shpresëdhënës, e pse mos ta pranoj që mes të ngazëllyerve isha edhe unë. Nuk është se ky ngazëllim më ka humbur nga drita e shikimit edhe sot, vetëm se me një ndryshim, pasi tashmë për të parë reformën e vërtetë që prodhoi e ashtëquajtura katarsis në pallatin e korruptuar të drejtësisë, me duhet të përdor edhe optikën si një lloj xhami zmadhues gjyslyke për të parë nëse në të vërtetë kjo drejtësi po shkon në kahun e duhur, apo po na përdor si miopë.Dhe këtu duhet të ndalem te viktimat që groposi kjo drejtësi ca me të drejtë e ca më të pa drejtë dhe te ata, të cilëve lupa e drejtësisë së re, është aq skrupuloze sa nuk fal as te qimja e maçokut pullali që lëpiu buzët kur pa kusinë e madhe me qumësht që valonte në zjarr”, shkruan ajo.

“Dua të ndalem tek një emër konkret.
Ai është Anton Martini, ish-prokuror i Krimeve të Rënda, aktualisht prokuror i komanduar në institucionin e hetimit në kryeqytet. Kandidat për në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhe këtu vlen për kronologji ta nis nga fillimi si e kam njohur unë Anton Martinin? Pikëtakimi i parë ishte në sallën e gjyqit në gjykatën për Krime të Rënda. Ai, bashkë me një tjetër koleg kishin hetuar dhe dërguar nën akuzë zyrtare krerët e Bandës së Durrësit. Bëhet fjalë për 2006. Është kohë e largët. Por, kam memorizuar çdo detaj nga ajo dosje. Kujtoj prokurorin Martini, që përballej me kërcënime në sallën e gjyqit, me akuza të forta nga të pandehurit. Por, ai për asnjë moment nuk u tërhoq. I shkoi çështjes deri në fund. Më vonë, Anton Martini hetoi dhe mbrojti në gjykatë akuzat kundër biznesmenit Arben Frroku, ku sigurisht iu bëri ballë shumë presioneve, edhe kur u tentua të vritej dëshmitari i mbrojtur, edhe kur në sallën e gjyqit i pandehuri i drejtonte gishtin dhe shprehej se: “kur të dal nga burgu, me ty do e kem”. Sërish pashë vendosmëri tek ai njeri. Për të vijuar, është i njëjti prokuror që kur u komandua në Shkodër, guxoi të hapte dosje të nxehta, për krerët e bandave që veprojnë në kryeqendrën e veriut. Antoni si shumë kolegë e kolege, po i nënshtrohet testit të vettingut. Është një “provim” i vështirë për gjithsecilin nga njerëzit e drejtësisë, pasi japin llogari për çdo qindarkë, madje edhe për të ardhurat e babait të ndjerë, sikurse ishte rasti i Bledar Maksutit”, përfundon ajo./News31