Qeveria iu heq pasaportat diplomatike kuqezinjve të Euro 2016: Nuk janë më "ambasadorë të mirë"
Mes nderimeve të Kombëtares shqiptare pas pjesëmarrjes në "Euro 2016", ishte dhe pajisja e futbollistëve me pasaporta diplomatike, pasi jo vetëm ishin heronj, por edhe ambasadorët më të mirë të Shqipërisë, siç u quajtën atëherë.
Por tani gjërat kanë ndryshuar. Heronj ndoshta janë ende, por jo “ambasadorë të mirë”.
Në ditën kur përfaqësuesja kuqezi do të luante sfidën kundër San Marinos, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i kujtoi Federatës Shqiptare, që të gjitha subjektet e saj që janë pajisur me pasaportën diplomatike, duhet ta dorëzojnë atë brenda afatit, që është data 30 qershor 2021.
Në letrën e siguruar nga "Balkanweb" bëhet e ditur se futbollistët e Kombëtares dhe delegacioni i saj u pajisën, me pasaportë diplomatike pas VKM të datës 23 qershor të vitit 2016, pra menjëherë pas përfundimit të aventurës në Kampionatin Europian, por me një tjetër VKM të datës 12 qershor të vitit 2019, këto subjekte nuk cilësohen më si kategori që e gëzojnë këtë të drejtë. Futbollistët e kombëtares, ata të Euro 2016 dhe të tjerët që do të vijnë pas tyre mund të jenë “heronj” për tifozët, por jo “ambasadorë të mirë” për qeverinë, të paktën nëse nuk ndodh ndonjë tjetër kualifikim i madh.