Pretendon se është rëndë në spital, Adriatik Llalla fotografohet në Romë pas dënimit me dy vite burg
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është dënuar me dy vite burg nga Apeli që ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Po kështu, Llalla ndalohet që për 5 vite të ushtrojë funksione publike. Gjatë dhënies së vendimit të formës së prerë, Adriatik Llalla nuk ishte i pranishëm në sallë. Ai përfaqësohej nga avokati i tij i cili ka thënë për gazetarët se Llalla është në regjim spitalor, duke mos pranuar të tregojë nëse ndodhet në Shqipëri apo jashtë shtetit për trajtim mjekësor.
Mirëpo, Dosja.al ka publikuar një foto të Llallës në Romë. Siç duket edhe nga fotoja e shkrepur ai është me një valixhe në dorë, teksa pret trenin në Romë. Ndërkohë që në fytyrë mban një maskë anti-COVID. Po ashtu, sipas dëshmitarëve që e kanë parë, ish-kryeprokurori duket në gjendje të mirë shëndetësore, duke i vënë theksin faktit që nuk shoqërohet nga askush.
Sipas vendimit të Apelit, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla do të duhet të arrestohet dhe të dërgohet në qeli për të vuajtur dënimin me 2 vite burgim. Nëse nuk gjendet në banesën e tij, pasi Llalla po gjykohej në gjendje të lirë, atëherë do të shpallet në kërkim. Adriatik Llalla akuzohet për fshehje të pasurisë në të paktën 3 episode. Hetimi për Llalën ka nisur që në vitin 2017 nga Prokuroria e Durrësit dhe më pas dosja u transferua në Tiranë.
/News31