Përgjysmohet numri i urbanëve në Tiranë nga sot, Unioni i Transportit Publik: “Qeveria s’plotësoi kërkesat tona”



Shoqata e Transportit Publik ka vendosur që nga dita e sotme të funksionojë me gjysmën e kapaciteteve të urbanëve në Tiranë.





 Kjo pasi sipas tyre ato po vuajnë ende pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia dhe rritja e çmimit të naftës i bën ata të pafuqishëm ekonomikisht për të punuar me kapacitete të plota. Në deklaratën e tyre shtojnë se sektori ka shkuar deri në kapitullimin ekomomik.






Unioni i Transportit Publik thotë se nuk është marrë asnjë masë që të plotësohen kërkesat ekonomike që u janë premtuar dhe deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre do të punojnë me gjysmën e kapaciteteve.

Njoftimi i Plotë:

Të nderuar,

Përfaqësuesit e Unionit të Transportit Publik, ju vejnë në dijeni se pas një viti e gjysëm nga rihapja e transportit publik, ndodhemi ende në pikën fillestare ku asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë apo plotësim të kërkesave ekonomike të premtuara.

E të gjendur në këtë situatë të pafuqishme ekonomike për të përballuar ecurinë e transportit dhe sidomos pas rritjes së vazhdueshme e të pandërprerë të çmimit të naftës dhe të largimit të stafit,jemi të detyruar që të operojmë nga datë 18.10.2021 me gjysmën e kapaciteit të flotës së mjeteve urbane.

Jemi në këtë situatë pas shumë kërkesash dhe njoftimesh si në isntitucionet vendore dhe ato qëndrore ku mos reagimi i tyre na bën që të shkojmë deri në një kapitullim ekonomik të këtij sektori. Duke kërkuar mirkuptimin e qytetarve, mbetemi në pritje të zgjidhjes së kërkesave tona nga ana e institucioneve përgjegjëse.

/News31