Përgjime dhe pëshpëritje, 4 akuzat e forta të Sali Berishës në Fier
Ish-lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot takimin e dytë të “Foltores” në qytetin e Fierit. Gjatë më shumë se një orë deklarata para demokratëve, Berisha “zbërtheu” atë që e cilësoi si gjuha e kodeve, mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me ndryshimin e Kushtetutës. Berisha ka bërë katër akuza të forta gjatë takimit të sotëm në Fier, të cilat nuk ishin përfolur më parë publikisht në vend.
Akuza e parë për ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili sipas Berishës ishte zyrtari i lartë i Sistemit të Drejtësisë që u kap në përgjimet e prokurorisë në dhjetor 2019 duke folur me një person publik në Shqipëri me qëllim nxjerrjen nga burgu të vëllezërve Aliko kundrejt 750 mijë eurove. Për herë të parë, Berisha nxjerr në publik emrin e personit në fjalë duke thënë se nuk u publikua me qëllim për të mos cënuar Sistemin e Drejtësisë që ishte nën kontrollin e maxhorancës.
Akuza e dytë lidhet me Ardian Dvoranin, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Sipas Berishës, kompania “Albtelecom” i ka shlyer atij një kredi prej 17 mijë eurosh për shtëpinë. Sipas Berishës, Dvorani dha një numër të madh vendimesh gjyqësore pro “Albtelecom” duke cënuar interesat e qytetarëve. Ky, tha Berisha, “është kampioni i shpallur i anti-korrupsionit”.
Akuza e tretë për ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili sipas tij ishte planifikuar që të nxirrej në pension nga Departamenti i Shtetit. Mirëpo sipas Berishës, Donald Lu u dërgua ambasador në Kirgizistan kundrejt një rryshfeti 10 milion dollar.
Akuza e katërt për George Sorosin, i cili sipas tij po financon largimin e tij nga politika për shkak të planlulzeve për ndarjen e Kosovës. Sipas ish-kryeministrit, ndarja e Kosovës ishte planifikuar nga zyra e fondacionit të George Sorosit në Beograd, por ndërhyrja publike e tij bëri që ky plan të mos zbatohej. Ky është shkaku sipas Berishës se përse Sorosi po kërkon largimin e tij nga politika.
Ky ishte takimi i dytë që Berisha zhvilloi, nga turi që ka ndërmarrë për të vizituar të gjithë Shqipërinë me emrin simbolik: ‘Foltorja për PD’. Berisha u përjashtua përkohësisht më 9 shtator 2021 nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike nga Lulzim Basha.
/News31