LIFESTYLE 15 Nëntor 2021, 11:01

Panairi i Librit, njihuni me titujt e rinj të shtëpisë botuese “Pegi”

Pas dy ditësh, nis aktiviteti më i madh i promovimit të botimeve në Shqipëri, Panairi i Librit në kryeqytet, këtë herë fizikisht. Krahas titujve të përhershëm, janë botimet e reja ato që marrin rëndësi të veçantë dhe sigurisht më shumë vëmendje.

Shtëpia botuese “Pegi” do të servirë për lexuesit edhe këtë vit një larmishmëri librash, por më poshtë, po ju sjellim disa nga prezantimet e reja!

“Kënga e Penelopës” - Margaret Atwood

Është një roman i Margaret Atwood-it, botuar më 2005, si pjesë e kolanës “Seria e miteve Canongate”, në të cilën autorë të njohur bashkëkohorë kanë rishkruar mitet e lashta. Miti i Penelopës, si gruaja e vatrës dhe besnikja par excellence, tashmë vjen në një rrëfim krejt ndryshe, parë me sytë e vetë Penelopës, në shekullin XXI. Temat qendrore të romanit shtjellohen rreth standardeve të dyfishta mes sekseve, klasave shoqërore, si dhe vërtetësisë së drejtësisë.

“Klara dhe Dielli” – Kazuo Ishiguro

Nga autori i romanit “Dita e mbetur”, një tjetër roman i mrekullueshëm – i pari pas fitimit të çmimit Nobel në Letërsi – mbi natyrën e mahnitshme dhe misterioze të zemrës së njeriut. “Klara dhe Dielli” është një roman emocionues që hedh vështrimin drejt një bote në ndryshim e sipër përmes syve të një rrëfimtari të paharrueshëm, për të na dhuruar një elegji të re e të mrekullueshme mbi vlerën e dashurisë dhe të sakrificës.

“Kosherja” - Kamilo Jose' Cela

Është vepra më e njohur e shkrimtarit spanjoll dhe fituesit të çmimit Nobel, për 1989, Camilo José Cela-s. Romani portretizon jetën e përditshme të Madridit, rreth viteve 1940 dhe përqendrohet rreth një kafeneje të vogël e jetës së punonjësve e klientëve të saj. Ky vend është protagonisti kryesor, që shndërrohet në dëshmitar të tragjedive të vogla, fitoreve, grindjeve dhe pasioneve të njerëzve që jetojnë rreth e qark tij.

“Vajzat e fshatit” - Edna O'Brien

I botuar më 1960, ky është romani i parë i Edna O’Brien-it. Ai shkaktoi një skandal të madh në Irlandën katolike të asaj kohe, derisa u ndalua dhe botimi i tij. Ky libër theu heshtjen mbi tabutë seksuale dhe çështjet shoqërore gjatë një periudhe represioni në Irlandë, pas Luftës së Dytë Botërore.

Tituj të tjerë si “Eliza dhe krijesat e saj”, i autores Francesca Zappia dhe “Rizgjimi i gjigantëve Geri Hop 2” nga Moony Witcher po ashtu mund t’i gjeni në stendën e botimeve 'Pegi'.

Ndaj, shtojini këta libra në listën tuaj për këtë vit dhe mos mungoni në panair, nga data 17 deri në 21 nëntor. Nuk do t’ju duhet as certifikatë vaksinimi dhe asnjë tampon negativ, por kujdesuni të respektoni të gjitha masat kundër COVID-19!

/News31