“Paguhemi më pak sesa kushton testi çdo ditë”, bllokohen punëtorët shqiptarë në kufirin me Malin e Zi
Masat e reja Anti-Covid që kanë hyrë në fuqi në shtetin fqinj Mali i Zi, kanë shkaktuar “kaos” në kufi.
Për të dytën ditë, situata paraqitet problematike në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Ditën e djeshme pati përplasje edhe me policinë. Rreth 100 punëtorë shqiptarë nuk mund të kalojnë kufirin nëse nuk kanë bërë vaksinat apo të kenë një test PCR të 72 orëve të fundit.
Por për punonjësit kostoja e tamponit 23 euro është e papërballueshme. Edhe pse disa prej tyre janë me të dy dozat e përfunduara, atyre u duhet të presin edhe 14 ditë për të kaluar kufirin sipas masave te reja.
“Ne për 10-15 euro dalim të punojmë e këto duan 23 euro për tampon. E kam bërë vaksinën, dozën e parë. Dozën e dytë e kam me datën 9 tetor”, shprehet një nga punëtorët, siç shkruan Shqiptarja.com.
Për të kaluar kufirin nga Shqipëria në Malin e Zi nevojitet një nga këto dokumente:
1- Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë;
2- Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;
3- Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë.
/News31