Paguante mediat që të publikonin sondazhe ku ai dilte fitues, kancelari austriak nën hetim për rryshfet dhe korrupsion



Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz është prej ditësh në telashe për shkak se prokurorët anti-korrupsion e akuzojnë atë për abuzim me detyrën, për ryshfet dhe korrupsion.





Ajo që bie në sy është se në qendër të akuzave janë dyshimet se ai ka paguar një gazetë me fondet publike për të publikuar sondazhe të manipuluara në favor të partisë së tij. Këto sondazhe nuk janë publikuar si reklama në gazetë, por kanë shërbyer për të manipuluar realitetin.“Sebastian Kurz dhe nëntë të dyshuar të tjerë, si dhe tre organizata” janë subjekt i një hetimi për vepra të ndryshme korrupsioni në lidhje me këtë çështje”, tha prokuroria në një deklaratë.






Ndërkohë, pavarësisht se kompania mediatike që mori shpërblim në këmbim të publikimit të këtyre sondazheve, nuk është emëruar zyrtarisht, është identifikuar në mediat austriake si tabloidi “Oesterreich”.

Këto vepra penale, thuhet se kanë ndodhur nga viti 2016 deri në vitin 2018, periudha në të cilën Kurz mori drejtimin e Partisë Popullore dhe e drejtoi atë në qeveri në krye të një koalicioni me Partinë e Lirisë të së djathtës ekstreme (FPOe). Sakaq, ai u bë kancelar në fund të vitit 2017 pasi më parë shërbeu si ministër i jashtëm i Austrisë.

Kancelari i ka mohuar akuzat dhe thotë se do të vazhdojë të mbetet në detyrë, pasi sipas tij, këto akuza kanë për qëllim dëmtimin e partisë. Megjithatë bie në sy fakti se në një vend të zhvilluar dhe demokratik si Austria, sondazhet përdoren qëllimisht për të manipuluar opinionin publik.

Në fakt, prej kohësh, sondazhet politike janë vënë në dyshim pasi kanë dështuar në jo pak raste për të treguar realitetin edhe në vende shumë të zhvilluara dhe demokratike.

/News31