Nuk e ftuan Inva Mulën në inaugurimin e TKOB? Flet për herë të parë drejtoresha Zana Çela
Mungesa e sopranos Inva Mula në mbrëmjet gala të Teatrit të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) me të ftuar specialë Plácido Domingo-n dhe Ermonela Jahon, në kuadër të rikonstruksionit të ndërtesës dhe 65-vjetorit të krijimit, shkaktoi debat në rrjet.
Në një intervistë, Inva Mula tha se nuk kishte marrë një ftesë duke shtuar se ajo nuk falte dot faktin që në dokumentarin për historinë e TKOB, nuk ishin përmendur Nina dhe Avni Mula, prindërit e saj. Sopranoja, pa përmendur emra, u shpreh se do të donte që “teatri të udhëhiqej nga njerëz profesionistë”, që në rrjet u konsiderua si referim ndaj Zana Çelës.
Ndërkohë, drejtoresha e TKOB, ka reaguar për herë të parë, pas debatit në rrjet, dhe “akuzat” drejt saj, duke bërë një sqarim të gjatë në Facebook.
Çela, i ka quajtur “akuzat” e Inva Mulës, si më të vështirat për tu përtypur që ka marrë ndonjëherë, duke sqaruar se sopranoja ka marrë ftesë, jo një herë, por disa të tilla.
“TKOBAP jo vetëm ka ftuar Znj. Mula për të përformuar në këtë event, por ka thyer edhe protokollin moral të dinjitetit tonë kombëtar, duke e përsëritur ftesën në drejtim të saj disa herë pa marrë asnjë përgjigje”, ka shkruar ajo.
Në lidhje me mospërmendjen e Avni dhe Nina Mulës në dokumentarin me titull “Rikonstruksioni”, Çela shkruan: “Ky dokumentar nuk i dedikohej kësaj here figurave të shquara të TKOBAP, por thjesht dhe vetëm historisë së godinës, dhe metamorfozës së ambjenteve ku punojnë e performojnë artistët”.
Duke iu përgjigjur akuzave se teatri nuk udhëhiqet nga njerëz profesionistë, drejtoresha ka shkruar: “Të pëlqejnë apo jo drejtuesit e TKOBAP, ata të federatave të ndryshme të sportit, këngëtarët apo shokët e ekipit, ftesa për të përfaqësuar vendin tënd duhet të bëjë krenar çdo kënd që e merr”, duke e mbyllur sqarimin, me një mesazh, duke sugjeruar që “dinjiteti i TKOBAP të prevalojë gjithmonë mbi çdo artist”.
/News31