Një i shoqëruar në polici, kontrollori përplaset me zv.ministrin Xhafaj: “Gënjen, po na arrestojnë!”



Një nga kontrollorët e trafikut ajror i futur në grevë është shoqëruar në polici. Mësohet se Nuhin Mezini është thirrur në polici për tu marrë në pyetje, teksa ende nuk dihet se për çfarë po pyetet kryesisht Mezini.


Ndërkohë, Andel Trebicka, një nga kontrollorët, është përplasur në emisionin “Opinion” me Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe i energjisë Etien Xhafaj. Trebicka tha se Xhafaj po gënjen, teksa tha se policia ka nisur arrestimin e kontrollorëve. Ai tha se në muajin mars kontrollorëve iu është thënë se gjysma preh tyre do të pushoheshin nga puna.

“Po i arrestojnë kolegët një e nga një, kjo është në vazhdën e deklaratave të ministres Balluku. Ne para dy ditësh kishim ujdi dhe turp t’i vij që gënjen aty. Dje keni pushuar 5 vetë, kujtuan se ne do hanim presion, pastaj e keni çuar bë 2 vet e pastaj në 0. Në muajin mars na keni mbledh dhe na keni thënë se gjysmat nga ju do pushoheni. Këto që the ti nuk janë të vërteta, unë të sfidoj.”-tha Trebicka.

Aeroporti i Rinasit ka pezulluar sot të gjitha fluturimet. Shkak është bërë mosplotësimi i kërkesave të kontrollorëve. Presidenti Ilir Meta ka kërkuar zgjidhje nga qeveria, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka kërcënuar punonjësit e ‘Albcontrol’ me burg.

Në letrën e nënshkruar nga punonjësit thuhej se ata kanë nevojë për një periudhë tre ose katër ditore rikuperimi pasi ndihen të lodhur dhe të stresuar nga mungesa financiare për shkak të pandemisë. Ministrja Balluku e cilësoi veprimin e kontrollorëve grusht shteti dhe pasditen e sotme dërgoi në Rinas ushtrinë dhe policinë për të marrë në dorë kullën e kontrollit me argumentin se është objekt me rëndësi të veçantë.

/News31