Ngjarje e rëndë në Tiranë, 34-vjeçari futet në xhami dhe plagos 5 persona me thikë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Tiranë. Një 34-vjeçar është futur në një xhami në Rrugën e Kavajës dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me thikë 5 persona.Forcat e policisë kanë ndërhyrë duke neutralizuar autorin e ngjarjes dhe e kanë arrestuar atë.
“Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas," njofton policia.
Agresori është identifikuar si Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njofton policia.