Nga ‘ngecja’ e derës së makinës tek dëgjimi i himnit ulur, çfarë ndodhi gjatë pritjes së Angela Merkel në Tiranë?



Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbërritur paraditen e sotme në Shqipëri. Rreth orës 10.00 avioni i saj është ulur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pa aspak vonesë.





‘Mesazhin’ e parë Merkel e dha përmes ngjyrës së xhaketës së saj. Ajo mbante veshur një xhaketë ngjyrë blu, përmes të cilës tregonte se do të ishte objektive dhe se biseda do të ishte serioze.






Në Rinas Merkel u prit nga shefja e diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka, ndërsa në Pallatin e Brigadave ishte vetë Edi Rama. Gjatë ceremonisë zyrtare pati dhe tre momente që nuk shkuan siç duhet.

Sapo mbërriti në Pallatin e Brigadave, përmes pamjeve të drejtpërdrejta u pa se truproja tentoi tre herë të hapte derën e Mercedesit të kancelares, por ajo ishte bllokuar.

Menjëherë sapo doli nga makina, Merkel u takua me kryeministrin Rama i cili prej disa minutash priste në këmbë. Kreu i qeverisë shqiptare i zgjati dorën ta takonte kancelaren gjemane, ndërsa ajo duke qeshur e përshëndeti me grusht, për shkak të masave anti-Covid.

Të dy iu drejtuan më pas trupës së Gardës së Republikës, ku u zhvillua ceremonia zyrtare. Ajo që ra në sy ishte se për herë të parë himni u dëgjua ulur nga dy personalitetet. Kancelarja Angela Merkel për shkak se është e sëmurë, kudo që shkon kërkon karrige për t’u ulur. Po ashtu, ulur qëndroi dhe kryeministri Rama. E njëjta gjë ndodhi dhe në Serbi, ku Merkel ishte dje. Shefja “de facto” e Europës qëndronte ulur në karrige, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç qëndroi në këmbë.

Pas takimit 45 minuta, Kryeministri Edi Rama ka nderuar Kancelaren gjermane Angela Merkel me medaljen ‘Ylli i mirënjohjes publike’. Vetë Kancelarja tha se ndihet e vlerësuar dhe shprehet e kënaqur që ka bashkëpunuar me Ramën.

/News31