Nga batutat me Albin Kurtin tek dekorimi i Rexhep Qoses, çfarë ndodhi gjatë vizitës së Edi Ramës në Kosovë



Pas ‘akujve’ të muajve të fundit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.





Vëmendja tek tensionet Kosovë-Serbi






Në konferencën e përbashkët, vëmendja ishte e fokusuar në situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku në kufi çdo ditë e më shumë afrohen tanket dhe helikopterët ushtarakë serbë.  Nga Prishtina mesazhet ishin të qarta për Serbinë nga Kryeministri i Shqipërisë. Konflikti i krijuar ditët e fundit dhe lëvizjet e ushtrisë serbe në kufi janë për Ramën shfaqje teatrale-ushtarake që mbajnë peng serbët e Kosovës, dhe e drejta është me Kosovën.

“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë! Nuk është me Serbinë. Po e bën mizën buall a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar luftë, por thjeshtë po zbaton një marrëveshje”, tha Rama.

“Shkrirje akujsh” dhe batuta

Rama tha se me vëllanë të lidh gjaku, e shkuara dhe ardhmja, ndërsa të dy liderët shkëmbyen edhe një përqafim në përfundim të konferencës për shtyp.

“Kur vëllai i vogël ka një hall, thotë t’i madhi duhet ta mbështetës, po kur i thua më dëgjo dhe mua, nuk dëgjon. Unë nuk pretendoj të jem vëllai i madh këtu, aq më tepër vëllai i Albinit, i cili është më i ri, nuk do të pranonte ta quante veten vëllai im i vogël”, tha Rama, duke mos i kursyer batutat me kryeministrin e Kosovës.

Takime me liderët e opozitës

Pas Kurtit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime edhe me 3 liderët e opozitës në vend.

Dekorimi i Rexhep Qoses

Gjithashtu, ai zgjodhi Prishtinën për ta dekoruar Rexhep Qosen me Yllin e Medaljes, pikërisht në krah të kreut të qeverisë së Kosovës. Ai kujtoi mësimin që ka marrë në analizën e tij kritike në kohën kur Rama ishte në opozitë. Rama tha se në atë kohë Rexhep Qosja botoi në kritikë të titulluar “Opozitë me duar në xhepa”. Që prej asaj kohe tha ai në çdo takim pune ka parasysh figurën e Qoses dhe kurrë më nuk e përsërit të njëjtin gabim.

Pas nderimit nga Rama në Prishtinë, profesori Rexhep Qose u shpreh se ndjehej shumë mirë që këtë medalje e merr pikërisht në kryeqytetin e Kosovës dhe sugjeroi që dy qeveritë të takohen më shpesh.

/News31