NEWS 3 Maj 2022, 13:26

Zelensky uron Bajramin dhe rrëfen mizoritë ruse për popullin shqiptar, deputetët në Kuvend të prekur

Zelensky uron Bajramin dhe rrëfen mizoritë ruse për popullin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e nisi fjalimin e tij duke uruar Bajramin dhe duke kujtuar se që prej 24 shkurtit nuk kanë mundur të jetojnë në paqe.

Në një videomesazh për Kuvendin e Shqipërisë, ai foli për bombardimet ruse që janë duke marrë jetë të pafajshme, ndër to dhe jetë fëmijësh.

“Mariupoli është shkatërruar plotësisht. Nuk ka asnjë ndërtesë që ka ngelur,” – u shpreh presidenti ukrainas, i cili tha se të tilla skena janë të pranishme në çdo qytet apo fshat të vendit.

“Të moshuarit që i kanë mbijetuar pushtimit nazist thonë se nuk kanë parë mizori të tilla asokohe,” – shtoi Zelensky.

Presidenti ukrainas falënderoi Shqipërinë për mbështetjen. Kryeministri Rama mori fjalën menjëherë më pas për të thënë se në 30 vite pluralizëm opozita dhe mazhoranca shqiptare kanë rënë shumë rrallë me një mendje, ndërsa të gjithë u ngritën në këmbë për të nderuar Zelenskyn dhe fjalimin e tij emocionues,

Në Kuvend ishte i pranishëm dhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodimir Shkurov. Të gjitha tavolinat kishin të vendosur flamuj të Ukrainës, ndërsa të pranishmit u panë të prekur gjatë fjalimit të Zelenskyt për mizoritë ruse.

Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor të cilit Volodymyr Zelensky i drejtohet me një videomesazh.