Zbulohet shkaku i zjarrit te pallati në Tiranë!

Detaje të reja janë publikuar ditën e sotme, nga hetimet në lidhje me zjarrin që ra në pallatin 9-katësh në Tiranë një ditë më parë në zonën e ish-Nesharakut, ndryshe e quajtur "Ish-Parku i Autobuzëve".
Nga ekspertiza paraprake, dyshohet se shkak është bërë kondicioneri në katin 9-të të pallatit, në banesën në pronësi të një mjeku. Ka qenë pikërisht një defekt në kondicioner që ka nisur zjarrin që u përhap me shpejtësi fillimisht në katin e fundit të ndërtesës, më pas të shumë prej apartamenteve dhe në fasadën e saj.
Në këtë pallat me 69 banorë nga vlerësimet paraprake të grupit të ekspertizës, 3 banesa janë shkrumbuar totalisht dhe një tjetër ka marrë dëmtime në masën 30%, ndërsa 12 apartamente jane djegur pjeserisht, nga flaket qe kane hyre brenda nga fasada. Të gjitha apartamentet janë të pabanueshme momentalisht.
Ndërkaq në lidhje me ngjarjen është shoqëruar dje në polici për t’u pyetur mjeku, banues në apartament dhe administrator i pallatit, që më pas u lanë të lirë. Në deklarimet e tyre ata janë shprehur se nuk janë në dijeni të ndonjë defekti që mund të ketë shkaktuar zjarrin. Jashtë kamerës, banorët e pallatit shprehen se kanë pasur problem me energjinë elektrike dhe shpesh binte automati.
/News31