
Produkti

Vjena e "frikësuar" për një sulm terrorist, Policia ngre alarmin dhe shton masat e sigurisë!

Në një lëvizje të paprecedentë, policia austriake paralajmëroi ditën e djeshme (15 mars), një "sulm me motive islamike", ndryshe sulm terrorist, në Vjenë. Kështu, autoritetet, duke njoftuar informacione të marra nga shërbimi i inteligjencës së vendit, thanë se një sulm i tillë ishte planifikuar kundër kishave të kryeqytetit austriak.
Si pasojë e kësaj, Policia ndërmori hapin e rrallë e paralajmërimit të qytetarëve në rrjetet sociale për një rrezik të mundshëm dhe se do të kishte në qytetet një prani të shtuar të policisë së armatosur, përfshirë forcat speciale.
"Shërbimet tona të inteligjencës kanë arsye të besojnë se një sulm me motiv islamik është planifikuar të kryhet në Vjenë," - shkruhej në njoftimin në Twitter, teksa si masë paraprake, pikat më të rrezikuara janë vënë nën ruajtjen e efektivëve. Prezenca e autoriteteve dje dhe sot ka qenë e dukshme, edhe pse rrugët e mbushura me turistë në qendër të Vjenës ishin të ngarkuara si zakonisht, ndërsa masat mbeten në fuqi deri në një njoftim tjetër nga Policia.
Kujtojmë se Vjena është ndër kryeqytetet më të sigurta në botë, megjithatë pas sulmit vdekjeprurës në vitin 2020, kur një person i armatosur xhihadist vrau 4 persona, para se të qëllohej për vdekje nga policia, ka shtyrë Policinë dhe shërbimet inteligjente të jenë shumë më të kujdesshme.
/News31