NEWS 12 Nëntor 2022, 13:42

(Video) Emigrantët shqiptarë protestojnë në Londër kundër deklaratave të ministres britanike!

(Video) Emigrantët shqiptarë protestojnë në Londër

Ashtu sic kishin paralajmëruar prej disa ditësh, emigrantët shqiptarë kanë dalë në protestë ditën e sotme në Londër, pas deklaratave të Ministres së Brendshme të Britanisë, Suella Braverman, e cila në një fjalim të sajin kundër emigrimit të paligjshëm i cilësoi ata si “kriminelë.”

Në videot e shpërndara në media apo në rrjetet sociale emigrantët shqiptarë shfaqen me flamujt kombëtarë dhe pankarta në duar, teksa po protestojnë pranë kullës së Londrës. Në pankratat e tyre mund të lexohen shprehjet: “Ne punojmë, paguajmë taksa, ne jemi shqiptarë”,  apo “krenar që jam shqiptar”, ndërsa në të tjera shfaqen edhe figura të njohura shqiptare që janë të famshëm dhe të suksesshëm e në Britani, duke dëshmuar të kundërtën e asaj që tha Braverman. 

Më herët, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Angli, kanë akuzuar qeverinë se po përdoren për të justifikuar politikën “e dështuar” të emigracionit në Britani, si dhe kritikuan Ministrinë e Brendshme se ata po ndikonin në sigurinë e vendit.

Daily Mail ka qenë një nga mediat që i ka kushtuar një artikull reagimeve të shqiptarëve në ishull, ndërkohë që ata shprehen se kanë ardhur në Britani për një jetë më të mirë dhe se është e papranueshme që të etiketohen si “banditë apo hajdutë”.

Ndërkohë kryeministri Rama gjatë një interviste dje në Sky News, ka deklaruar se po pret që qeveria britanike të kërkojë falje për deklaratat e bëra nga sekretarja Braverman, duke shprehur bindjen se ato janë bërë për qëllime elektorale.

/News31