NEWS 4 Gusht 2022, 12:18

Vdekja e tij tronditi Italinë, flet djali i 72-vjeçarit shqiptar: "Nuk e di kush donte ta lëndonte"

Vdekja e tij tronditi Italinë, flet djali i 72-vjeçarit shqiptar:

Shefki Kurti, 72-vjeç me origjinë shqiptare, u gjet i copëtuar më 28 korrik në Itali. Ekspertët e RIS po kërkojnë gjurmë gjaku kudo, madje edhe në apartamentin që i moshuari kishte blerë me mundim.

Hetuesit po gjurmojnë jetën e 72-vjeçarit shqiptar dhe të familjes së tij për të gjetur ndonjë pistë që mund të çojë në zbulimin e vrasësit. Ditën e djeshme mediet italiane raportuan se dyshimet bien edhe mbi familjen, pasi ata janë të fundit që e kanë parë gjallë më 24 korrik kur Kurti u largua nga shtëpia pas një sherri me gruan.

Hetuesit janë të sigurt se vrasësi i pamëshirshëm i të moshuarit është dikush që ka pasur lidhje, të çdo lloji, me familjen e viktimës. Ndërkohë pyetja që hetuesit po shtrojnë është: Kush mund ta urrente aq shumë Shefkiun sa ta copëtonte në mënyrë makabre?

Familja Kurti

Familja Kurti ishte e njohur në provincën ku jetonte. Veçanërisht Shefkiu njihej si një person i qetë dhe i dashur. Familja Kurti kishte lundruar nga porti i Durrësit, qyteti i tyre i origjinës gjatë një prej valëve të para të eksodit të madh nga Shqipëria, në vitin 1991. Familja ka dy fëmijë, Alketa e cila u shpërngul në Zvicër dhe Arbeni, që punon Dj dhe jeton shumë afër prindërve, në Masi.

Përveç profesionit të  DJ, ai është pronar i diskotekës “Babylon” që ndodhet ngjitur me apartamentin e prindërve. Apartamenti i prindërve ndodhet në katin e parë, mbi një magazinë, ku orët e fundit fqinjët kanë parë ekspertë të mjekësisë ligjore dhe hetues duke hyrë dhe duke dalë nga shtëpia në kërkim të gjurmëve.

Kamerat, të vendosura nga familja për të monitoruar hyrjen e shtëpisë, nuk ndihmuan. E megjithatë celulari i burrit, për momentin, nuk ka dhënë informacione të dobishme: siç shpjegoi familja, 71-vjeçari e la në shtëpi para se të dilte më 24 korrik, pas një debati me bashkëshorten./Burimi "Abcnews.al"