Stacionet e karburantëve Shell futen në tregun shqiptar
Tiranë 14 Nëntor 2024: Kompania shqiptare Kastrati Group Sh.a, Coral S.A dhe Coral Sh.a., (e licencuar e markës së karburanteve Shell për Shqipërinë), nënshkruan sot një marrëveshje për të hapur për herë të parë në Shqipëri stacionet e karburanteve të markës Shell.
Sipas kësaj marrëveshjeje, stacionet e para të karburanteve të markës Shell do të hapen në fund të vitit të ardhshëm. Ky rrjet i ri do t'ju japë klientëve shqiptarë mundësinë të blejnë produkte dhe shërbime premium të markës Shell.
Në emër të Kastrati Group Sh.a, Ardit Kastrati u shpreh: “Jemi të lumtur të njoftojmë partneritetin me Coral S.A dhe hyrjen në Shqipëri të stacioneve të markës Shell. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për sektorin shqiptar të energjisë. Ky partneritet do të sjellë markën Shell tek klientët vendas, duke ju ofruar një gamë më të gjerë të shërbimeve dhe produkteve të karburanteve. Ky është vetëm fillimi dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim sektorin shqiptar të energjisë duke ofruar mundësi të reja dhe rritje të qëndrueshme.”
Christos Ketsitzoglou në emër të Coral Albania shtoi: “Hapja e stacioneve të markës Shell, në bashkëpunim me Grupin Kastrati në Shqipëri është pjesë e strategjisë sonë për të rritur më tej operacionet tona në Evropën Juglindore. Ky bashkëpunim synon të sjellë një epokë të re në vend për stacionet e shitjes me pakicë të karburanteve dhe shërbimet në sektorin e energjisë.”
Informacione Rreth:
Kastrati Group Sh.a
Kastrati Group Sh.a është një nga markat më me reputacion në Shqipëri, i njohur për përkushtimin e tij ndaj cilësisë dhe ekselencës, në industri të ndryshme. Me një prezencë në sektorë si tregtimi i karburanteve, turizmi dhe hoteleria, sigurimet dhe shërbimet financiare, infrastruktura, ndërtimi, industria automotive dhe tregtia me pakicë, Kastrati Group ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Për më shumë se 30 vjet, grupi ka ndërtuar një reputacion të fortë përmes investimeve strategjike, partneriteteve të forta dhe fokusimit në kënaqësinë e klientit.
Coral S.A.
Coral S.A. operon në tregun grek të naftës që nga viti 1926. Ish-Shell Hellas S.A. e cila u riemërua në korrik 2010 pas blerjes nga Motor Oil Hellas S.A. Me më shumë se 800 stacione me pakicë që operojnë nën markën Shell në Greqi dhe me disa tregje në Evropën Juglindore (Qipro, Kroaci, Serbi, Maqedonia e Veriut), Coral S.A. është lider në tregun e naftës. Aktivitetet e saj kryesore përfshijnë shitjet me shumicë dhe pakicë të një game të gjerë produktesh nafte, me klientë në sektorët industrialë, tregtarë dhe të transportit detar. Coral Albania Sh.a është themeluar në vitin 2017 në Shqipëri.