Sot ndodh kurorëzimi i Mbretit Charles III, mes 2200 të ftuarve edhe Presidentët Begaj e Osmani!

Sot më në fund do të ndodhë kurorëzimi i Charles III, trashëgimtarit më jetëgjatë të fronit të Britanisë së Madhe, i cili teknikisht është Mbret që pas largimit nga jeta të nënës së tij, Elizabetës, megjithatë nga sot do të jetë zyrtarisht kreu i monarkisë, i Kishës dhe gjithckaje që përfaqëson Mbretëria e Bashkuar.
Më shumë se 2.200 të ftuar, përfshirë krerë shtetesh, emra të famshëm dhe organizata humanitare nga 203 vende si dhe anëtarë të familjes mbretërore, do të marrin pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Charles, teksa ai dhe gruaje e tij, Camilla, do të marrin titujt e rinj, sic e do tradita, në Westminster Abbey në Londër. Në kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 1953 morën pjesë më shumë se 8.200 të ftuar, pra një numër konsiderueshëm më i lartë se sa ata që janë ftuar të marrin pjesë në ceremoninë për Charles, megjithatë ai bëri edhe një pritje mbrëmjen e djeshme për të gjithë ata që nuk do kenë mundësinë apo nuk morën ftesat për të qenë pjesë e kurorëzimit sot, i cili nis pas orës 11.00.
Princi William dhe gruaja e tij Kate, si dhe motra dhe vëllai i mbretit Charles, Princesha Anne dhe Princi Edward, do të marrin pjesë në ceremoni, po ashtu edhe Princi Harry, por jo gruaja e tij Meghan Markle. Ndërkohë sa i takon personaliteteve të politikës, përveç kryeministrit britanik Rishi Sunak, në ceremoni do të marrin pjesë ministra dhe anëtarë të Dhomës së Lordëve si dhe ish-kryeministrat britanikë si Liz Truss dhe Tony Blair, njëkohësisht edhe kryeministri skocez Hamza Yusuf. Në mesin e figurave politike nga bota që do të marrin pjesë në ceremoni janë presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri australian Anthony Albanese, kryeministri i Zelandës së Re Chris Hipkins dhe presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian (BE) Ursula von der Leyen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj gjithashtu do të jenë të pranishëm në këtë ceremoni.
Three Albanese’s in one photo!
Delighted to meet with Australian PM @AlboMP, alongside President @BajramBegajAL, at the King’s Reception.
???????????????????????? pic.twitter.com/OePhsXRb1r
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) May 5, 2023
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden nuk do të jetë pjesë e festimeve, por gruaja e tij Jill Biden do të jetë e pranishme në emër të vendit të tyre. Gjithashtu në ceremoni pritet të marrin pjesë edhe udhëheqësit fetarë dhe përfaqësuesit e Komonuelthit të Kombeve. Ndër anëtarët e familjeve mbretërore të vendeve të tjera, të cilët tashmë janë në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, do të jenë Princi Albert i Monakos dhe gruaja e tij Princesha Charlene, Mbreti i Spanjës Felipe dhe gruaja e tij Mbretëresha Letizia, po ashtu edhe Princi i Kurorës së Japonisë Akishino dhe gruaja e tij Princesha Kiko.
/News31