NEWS 29 Korrik 2022, 16:20

Publikohen datat e aplikimit të maturantëve në universitete

Publikohen datat e aplikimit të maturantëve në universitete


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka publikuar sot datat e aplikimeve që do të bëjnë maturantët nga portali U-Albania, në programet universitare që duan të zgjedhin. Përveç kësaj, njoftohet se të gjithë studentët vitin e ardhshëm akademik do të jenë në auditorë, pas disa viteve mësim online apo pjesërisht në auditore.

Nga data 29 korrik deri më 3 gusht, portali U-Albania do të jetë i hapur për të gjithë maturantët që të bëjnë përzgjedhjet e tyre.

Sipas ministres, studentët duhet të mbështeten në prirjet dhe pasionet e tyre, por gjithashtu duhet që të konsultohen edhe me mësuesit e prindërit, në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të rrisin më shumë mundësitë për të fituar programin më të përshtatshëm për ta. Ndërkohë Kushi bën po ashtu me dije:

“Do t’ju ftoja që të keni në vëmendje maksimale edhe programet e studimit që ne i kemi cilësuar si prioritet kombëtar. Siç e dini, këto programe lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesisë, shkencave natyrore, inxhinierisë, bujqësisë dhe fushës së shërbimeve. Studentët ekselentë dhe ata që zgjedhin programet prioritare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale, sipas parashikimeve të VKM-së Nr. 386 të miratuar në qershor të këtij viti,”.

 

Nga ana tjetër, sipas marrëveshjes së nënshkruar me Kosovën, të rinjtë dhe të rejat nga Kosova mund të aplikojnë për të ndjekur studimet e larta në universitetet tona, me të drejta të barabarta njësoj si studentët në Shqipëri.

/News31