Policia gjen të fshehur në bagazh një 17-vjeçare në pikën kufitare me Kosovën!

Një 17-vjeçare është gjetur e fshehur në bagazhin e një automjeti në Pikën Kufitare të Morinës, teksa efektivët e Policisë Kufitare, kanë bërë me dije se në vijim të kontrolleve të ushtruara ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata udhëtojnë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll më të detajuar automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin N. K.
Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e këtij automjeti, u gjet e fshehur një shtetase 17 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila dyshohet se po ndihmohej nga këta 2 persona, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin. Nga verifikimet ka rezultuar se 17-vjeçarja kishte tentuar edhe më parë të hynte në vendin tonë, por për shkak të moshës, nuk ishte lejuar të hynte e pashoqëruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit A. M. dhe N. K., të dy të moshës 23 vjeç dhe banues në Prishtinë. Ata akuzohen për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme., ndërsa nuk është zbuluar ende përse adoleshentja donte të kalonte kufirin për në Shqipëri dhe përse kishte zgjedhur këtë mënyrë.
/News31