Përplasje më 8 janar? Lulzim Basha: "Jemi përgatitur për çdo situatë"


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë për "Open" foli rreth zhvillimeve të fundit në PD. Ai tha se janë marrëzira të gjitha akuzat se ai po fortifikon selinë blu. Sipas Bashës, PD-ja ka vetëm një interes, të jetë e hapur për demokratët dhe se Sali Berisha po i përdor ata si mish për top.
Ai gjithashtu ka ironizuar se në selinë e PD-së ndodhen snajper, tanke e ushtarë, duke nënkuptuar se thjesht po bëhen rikonstruksione në godinë, ndryshe nga çfarë komunikohet.
“Keni harruar që kemi edhe tanke, edhe snajper, marinsa, janë të gjitha marrëzira, është e trishtueshme që viti i ri shqiptarët i gjen në një xhalo të tillë të servirur, ndërsa ata përballen me problem reale, ekonomike. Ai do ta kthejë PD-në në bunkier, përpjekja e një njeriu për ta marrë peng PD-në. Për t’i përdorur demokratët si mish për top, në zyrën time mund të vini për një kafe që nesër se është e njëjta që ka qenë. Çfarë ndodh në tarracën e PD-së ato që janë thënë janë përtej imagjinatës së shfrenuar. PD ka një tjetër interes të jetë e hapur për demokratët. Edhe po të mos kishte mure PD-ja, ai do të ishte njeriu më i vetëm, edhe nëse ai sot do të ishte kreu i PD-së”, tha Basha.
Në lidhje me moslejimin e hyrjes në seli prej dy ditësh të Grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ai e komentoi si një show të tyre për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shqiptarëve.
Më 8 dhe 9 janar, kryedemokrati tha se do të jetë pikërisht në zyrën e tij në selinë blu.