NEWS 4 Mars 2023, 18:08

Përplasja e trenave në Greqi, MEPJ konfirmon: 4 viktima shqiptare nga aksidenti i rëndë!

Përplasja e trenave në Greqi, MEPJ konfirmon: 4 viktima shqiptare nga

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar ditën e sotme se 4 shqiptarë kanë ndërruar jetë si pasoje e aksidentit të rëndë të ndodhur afër Larisës në Greqi, ku u përplasën dy trena. Në njoftim thuhet po ashtu se po pritet përgjigjia e ADN-së së një shqiptari tjetër, që dyshohet se ka humbur jetën nga aksidenti vdekjeprurës. 

Deklarata e plotë, me emrat e viktimave:

“Pas komunikimit me autoritetet greke, MEPJ bën me dije se në rradhët e viktimave të aksidentit tragjik hekurodhor në Larisa konfirmohen deri më tani katër shtetas shqiptarë dhe me origjinë shqiptare: Ifigjenia Micka, Pavlin Bozo, Joanis Xhollas dhe Klaudia Lato.

Pritet përgjigja e ADN për një tjetër shtetas shqiptar të deklaruar “i zhdukur” nga familja dhe policia greke. MEPJ i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”

Nga përplasja e dy trenave kanë vdekur të paktën 57 persona dhe janë lënduar dhjetëra të tjerë. Qeveria shqiptare ka shpallur ditë zie kombëtare ditën e diel, më 5 mars, për të nderuar viktimat e këtij aksidenti tragjik.

/News31