NEWS 2 Gusht 2022, 17:18

Përjashtohet nga Policia efektivi që vrau me skaf 7-vjeçaren në Himarë. pezullohet nga detyra edhe Drejtori i Kufirit!

Përjashtohet nga Policia efektivi që vrau me skaf 7-vjeçaren

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Himarë kreu i Policisë së Shtetit, Geldis Nano, ka përjashtuar nga radhët e bluve oficerin e Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje. Tase u arrestua pak kohë pasi ndodhi ngjarja. 

Përjashtohet nga Policia efektivi që vrau me skaf 7-vjeçaren

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, edhe Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

Nga ana tjetër kreu i Policisë ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga vetë ai, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

/News31