NEWS 4 Janar 2022, 13:55

Pas ultimatumit për Bashën, Berisha njofton protestë para selisë së PD

Pas ultimatumit për Bashën, Berisha njofton protestë para

Selia e Partisë Demokratike ka pësuar ndryshime, por duket se kjo ka alarmuar ish-kreun, Sali Berisha.

Veshjen e të përparmë të derës kryesore të selisë së PD me letër ngjitëse me logon dhe simbolet e partisë Berisha i ka interpretuar si blindim dyersh. I ashtuquajturi Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD ka reaguar nëpërmjet një deklarate, ku shkruhet se Basha po tenton të shndërrojë selinë e PD në 'bunkerin e tij privat'.

Ndaj ish-kryeministri do të zhvillojë më datë 8 janar një protestë para godinës së Partisë Demorkatike.

Thirrja i është drejtuar gjithë demokratëve dhe do të nisë në orën 12.00. Ndryshe nga e para që u mbajt para Kryeministrisë, demokratët këtë herë do protestojnë para selisë së tyre.

“Jo bunker i pengut por shtëpi e demokratëve! 8 janar 2022, ora 12.00. Vendi: Para selisë së Partisë Demorkatike”, ky është njoftimi që po shërndahet në rrjet nga anëtarët e Grupit të Rithemelimit të PD.

Këto ndryshime vijnë 2 ditë para 5 janarit, dita ku Sali Berisha i ka lënë afat Lulzim Bashës që t’i lirojë zyrën me argumentin se Kuvendi i 11 dhjetorit e ka shkarkuar me firmën e 4446 delegatëve. Ndërkohë nga ana tjetër, Lulzim Basha në konferencën e fundvitit ka qetësuar demokratët se në 5 janar nuk do të ndodhë asgjë, e ndërsa theksoi se PD-ja është e përgatitur për të gjitha skenaret.

/News31