
Produkti

Pas ngjarjes në Himarë, Gledis Nano inspekton masat për sigurinë në plazhe

Ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, inspektoi vetë në terren masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe, pas ngjarjes tragjike të Himarës pak ditë më parë.
Nano, i shoqëruar nga Drejtori i DVP Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati, zhvilloi një takim me efektivët e Policisë së Shëngjinit dhe më pas me efektivët e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët mbulojnë zonën bregdetare në qarkun Lezhë. Ai ka kërkuar nga drejtuesit e strukturave, si dhe nga efektivët, angazhim për zbatimin e detyrave dhe masave shtesë me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cënojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve në plazhe e zona turistike.
“Punoni me përkushtim dhe përgjegjësi, pasi detyra që kryeni është sa e vështirë, aq edhe fisnike. Me punën, angazhimin dhe ndershmërinë tuaj keni në dorë jetën e sigurinë e qytetarëve, imazhin e Policisë së Shtetit, si dhe të vendit në tëresi. Ky është privilegj, po aq edhe përgjegjësi, ndaj mos neglizhoni askënd, cilido qoftë, zbatoni ligjin e vetëm ligjin dhe shërbejuni qytetarëve me përkushtim e humanizëm”,-tha Nano.
Gjatë vrojtimit me dylbi dhe kamera nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues në zonat ku ka pushues, të paktën në zonën e Shëngjinit.