Pas 3 vitesh Covid-19 zyrtarisht nuk është më një "emergjencë globale shëndetësore"!

Pas 3 vitesh, Covid-19 nuk është më një emergjencë globale shëndetësore, me një vendim të marrë ditën e premte (sot) nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Komiteti i Urgjencës dhe i Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit të OBSH-së diskutoi pandeminë të enjten (dje) në takimin e tij të 15-të për Covid-19 dhe Drejtori i Përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ra dakord me propozimin që Covid-19 mos të konsiderohet më një emergjencë globale shëndetësore.
“Prej më shumë se një viti, pandemia ka patur një prirje rënëse,” tha Tedros në një konferencë për mediat sot, teksa shtoi:
“Kjo prirje ka lejuar që shumica e vendeve ti rikthehen jetës siç ishim përpara Covid-19. Dje, Komiteti i Urgjencës u mblodh për herë të 15-të dhe më rekomandoi që të shpallja fundin e urgjencës së shëndetit publik. Unë e kam pranuar këtë këshillë dhe sot deklarojmë fundin e pandemisë."
Organizata ndërkombëtare e shpalli shpërthimin e koronavirusit si një "emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar" në janar 2020, rreth 6 javë përpara se ta quante atë pandemi të shkallës botërore. Një status i tillë jep mundësinë që vendet e OKB të krijojnë një marrëveshje mes tyre për t’iu përmbajtur rekomandimeve të OBSH-së për menaxhimin e emergjencës. Nga ana tjetër secili vend deklaron urgjencën e tij të shëndetit publik – deklarata që kanë peshë ligjore. Vendet i përdorin këto deklarata dhe statuse për të menaxhuar burimet në mënyrë që të lehtësojnë krizën.
Sipas të dhënave të OBSH-së, ka pasur më shumë se 765 milionë raste të konfirmuara me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Gati 7 milionë njerëz kanë vdekur. Evropa ka pasur rastet më të shumta të konfirmuara, por Amerika ka raportuar më shumë vdekje. Rreth 1 në 6 vdekje totale kanë qenë në SHBA.
/News31