“Omicron do të na prekë të gjithëve”, Skënder Brataj tregon se kush e kalon më rëndë variantin e Covid-19
Varianti Omicron i Covid-19 ka vendosur në alarm shumë vende të botës, mes të cilave edhe Shqipërinë. Duket se ai ka “mbërthyer” vendin tonë, dhe kjo duket qartë në numrin e lartë të infektimeve çdo ditë.
Në javën e parë të vitit OBSH njoftoi se 7 milion njerëz në Evropë, ishin të infektuar me Omicron. Pra a do të thotë kjo se të gjithë do të prekemi?
Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, mjekut Skënder Brataj, po. Kjo pasi vetë mënyra e përhapjes së Omicron e dikton këtë.
“Po, është natyra e tij e transmetueshmërisë, ndaj zor se do të shpëtojë njeri”, tha ai, për emisionin “Breaking”.
Brataj tha se në spital, shumica e të infektuarve, që shfaqin forma të rënda janë të pavaksinuar, ndërsa në total të shtruar më tepër janë personat nën 50 vjeç.
Gjithashtu, kreu i Urgjencës Kombëtare tha se pritet akoma më shumë rritje, dhe se ky numër aktual, nuk është i vërtetë.
/News31