NEWS 4 Gusht 2022, 15:47

Ndryshon akuza për Arjan Tasen, do të gjykohet për “Vrasje me dashje”

Ndryshon akuza për Arjan Tasen, do të gjykohet për  “Vrasje

Ish-shefi i Policisë në komunitet, Arjan Tase, autori i ngjarjes tragjike në Himarë dy ditë më parë, do të përballet në gjykatë me akuzën e ‘Vrasjes me dashje’ dhe jo për ‘Vrasje e kryer nga pakujdesia’.

Kjo është akuza, tashmë e ndryshuar, të cilën Prokuroria do dërgojë në gjykatë për ish- efektivin. Kujtojmë se Tase paraditen e 2 Gushtit, duke drejtuar një mjet lundrues në bregun e e plazhit të Potamit, goditi për vdekje 7-vjeçaren, Jonada Avdia.

Ashpërsimi i akuzës së ngritur ndaj ish-shefit të policisë, vjen pas verifikimit të pamjeve filmike në vendngjarje dhe dëshmive të pushuesve. Grupi hetimor ka konkluduar se Arjan Tase ka patur mundësi për të parandaluar aksidentin fatal, i cili ndodhi në një zonë të dedikuar për pushuesit. Në konkluzionet e Prokurorisë ndër të tjera thuhet:

“Disa nga pushuesit e kanë paralajmëruar se rrezikonte jetët e tyre me afrimin e skafit ne breg”.

Referuar kodit penal me akuzën që pritet të përballet në Gjykatën e Vlorës, ish-efektivi rrezikon dënimin nga 10 deri në 20 vite burg. Përballja e parë me togat e zeza pritet të bëhet paraditen e së premtes, ku ish-efektivi Tase do të njihet me masën e sigurisë dhe faktet e provat e mbledhura nga grupi hetimit.

Fillimisht ndaj ish-policit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Vlorës, ngritën akuzën e ‘Vrasjes së kryer nga pakujdesia’, vepër kjo për të cilën kodi penal parashikon nga gjobë deri në 5 vite burgim.

/News31

Burimi: Klan