NEWS 16 Nëntor 2022, 10:41

Ndeshja Shqipëri-Itali, policia e Tiranës njoftim për rrugët që do të bllokohen dhe masat e sigurisë

Ndeshja Shqipëri-Itali, policia e Tiranës njoftim për rrugët

Policia e Tiranës ka marrë një sërë masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë lidhur me zhvillimin e ndeshjes miqësore të futbollit midis Shqipërisë dhe Italisë, ditën e sotme, në stadiumin “Air Albania”. Masat e marra nga Policia e Tiranës përfshijnë jo vetëm ambientet e stadiumit, por edhe perimetrin jashtë tij.

Kështu, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore gjatë kalimit të tifozëve, nga ora 18:00 deri në përfundim të ndeshjes së futbollit. Rrugët që do bllokohen janë: rruga “Lekë Dukagjini”, përreth stadiumit; rruga “Dervish Hima”; rruga “Gjergj Filipi”; rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Sipas policisë, sheshi “Nënë Tereza” nuk do të ketë bllokime të lëvizjes.

Uniformat blu do të garantojnë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar. Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium, persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, të pashoqëruar nga prindi apo kujdestari. Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët, që në aktivitete të mëparshme sportive, janë të identifikuar nga Policia, si problematikë.

/News31