NEWS 1 Gusht 2022, 16:35

Mediat ndërkombëtare jehonë situatës në veri të Kosovës, çfarë shkruarn BBC për tensionet mes dy shteteve

Mediat ndërkombëtare jehonë situatës në veri të

Tensionet në veri të Kosovës që nisën mbrëmjen e djeshme, kur pritej hyrja në fuqi e rregullave të reja për targat e makinave, janë komentuar jo vetëm nga mediat vendase, por edhe ato ndërkombëtare. Një prej tyre ka qenë edhe prestigjiozja britanike BBC, e cila i ka dedikuar një artikull situatës aspak të qenë në Kosovë.

Artikulli i BBC sqaron lexuesit si më poshtë:

"Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e rregullave të reja që do t’i detyronin njerëzit në zonat me shumicë etnike serbe, të ndërrojnë targat e tyre të makinave të lëshuara nga Serbia, me ato të Kosovës. Rregullat do të hynin në fuqi në mesnatën e së hënës, por të dielën serbët etnikë në veri bllokuan rrugët dhe njerëz të armatosur qëlluan me armë në shenjë proteste. Kështu, zbatimi i rregullave është shtyrë për një muaj pas konsultimeve së Kosovës me SHBA-në dhe BE-në.

Kujtojmë se Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në shkurt 2008, pas vitesh marrëdhënie të tensionuara mes banorëve të saj serbë dhe shumicës shqiptare. Ajo është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia, e mbështetur nga aleati i saj Rusia, refuzon ta bëjë këtë, ashtu si shumica e serbëve etnikë brenda Kosovës.

Rreth 50,000 njerëz që jetojnë në zonat me shumicë serbe të veriut përdorin targa të lëshuara nga autoritetet serbe dhe refuzojnë të njohin institucionet e Kosovës. Vendimi i qeverisë së Kosovës për të futur rregulla të reja, duke përfshirë zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, çoi në përplasje.

NATO e përshkroi situatën si “të tensionuar”, pasi qindra serbë etnikë parkuan kamionë, cisterna dhe automjete të tjera pranë dy pikave kryesore kufitare me Serbinë në shenjë proteste ndaj rregullave të reja, duke detyruar policinë të mbyllë dy vendkalimet. Misioni i udhëhequr nga aleanca atlantike në Kosovë, KFOR, tha se ishte i përgatitur të ndërhynte nëse stabiliteti rrezikohet. Pati gjithashtu raportime për të shtëna nga njerëz të armatosur, megjithëse policia e Kosovës tha se nuk kishte marrë raporte për ndonjë të lënduar.

Rritja e tensioneve çoi në konsultime me ambasadorët e SHBA dhe BE. Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha se i kërkoi qeverisë së Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit të targave për 30 ditë, sepse sipas tij “ka pasur keqinformim dhe keqkuptim rreth vendimit”. Kosova ra dakord të shtyjë rregullat e reja për 30 ditë. Kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e mirëpriti njoftimin në një postim në Twitter dhe tha se ai pret që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë. Po ashtu edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se pret që tensionet të “de-përshkallëzohen” pas shtyrjes së rregullave.

Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe vitin e shkuar për propozimet për ndryshimin e rregullave të targave. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë pavarësisht se të dyja palët janë zotuar të angazhohen në dialogun e sponsorizuar nga BE-ja në përpjekje për të zgjidhur çështjet e vjetra."

/News31