NEWS 11 Janar 2022, 11:01

Mbledhja e Kryesisë, përjashtohen përgjithmonë nga PD Sali Berisha dhe 8 anëtarë të Komisionit të Rithemelimit

Mbledhja e Kryesisë, përjashtohen përgjithmonë nga PD Sali

Sali Berisha nuk është më pjesë e Partisë Demokratike. Vendimi për përjashtimin e tij përgjithmonë nga PD është marrë nga Lulzim Basha dhe Kryesia në mbledhjen që nisi pasditen e djeshme dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në mbledhjen maratonë të Kryesisë, është marrë vendimi edhe për përjashtimin e anëtarëve të të Komisionit të Rithemelimit të PD-së:

Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.

Ndërkohë, janë pezulluar nga e djathta deputetët: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.

Të gjithë politikanët e pezulluar e kanë një shans të fundit nga Partia Demokratike, por pezullimi për ta është pa afat. Lidhur me vendimet më të fundit, PD ka dalë me një deklaratë zyrtare duke bërë me dije se të pezulluarit se kanë kohë deri në distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj PD, dhe veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të Partisë. Kështu do të kenë një mundësi tjetër për të vijuar me aktivitetin e tyre në forcën e kahut të djathtë. Ndërkohë që deri më tani Berisha nuk ka reaguar lidhur me përjashtimin e tij nga partia që e ka themeluar vetë disa dekada më parë.

 

/News31