NEWS 25 Nëntor 2022, 10:30

Lirohen nga paraburgimi tre infermieret që dhunuan të moshuarën në Pejë

Lirohen nga paraburgimi tre infermieret që dhunuan të moshuarën

Gjykata Supreme ka liruar pak minuta më parë nga paraburgimi tre infermieret të cilat ishin të përfshira në sulmin fizik ndaj të moshuarës në qendrën sociale “Orenda” në Pejë.

Kolegji gjyqësor i Gjykates Supreme, e ka pranuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të bërë nga avokati i së pandehurës, Blerim Ademaj.

“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Kujtojmë që incidenti për të moshuarën u bë i njohur pas publikimit të një videoje. Në pamjet e publikuara shihej një infermiere duke sulmuar të moshuarën, ndërsa një tjetër filmon të gjithë ngjarjen duke qeshur.

Tre infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi Gashi, u ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

Edhe Oda e Infermierëve të Kosovës të njëjtave ua ka tërhequr licencën. Ndërsa, Shtëpia për të Moshuar “Orenda” në Pejë, ku ka ndodhur ngjarja, është mbyllur zyrtarisht nga institucionet.

Lirohen nga paraburgimi tre infermieret që dhunuan të moshuarën

 

 

Burimi: teve1