Lira Gjika paralajmëron prindërit "Mos flini në të njëjtin krevat me fëmijët, mund t'u shkaktoni vdekje të parakohshme"
Pediatrja e njohur Lira Gjika është kthyer tanimë në një burim frymëzimi dhe informimi për shumë prindër të rinj. Ajo ndan vazhdimisht në llogarinë e saj në Facebook këshilla të ndryshme jo vetëm nga eksperienca e gjatë si mjeke, por edhe nga studimet e ndryshme që bëhen nëpër botë. Së fundmi, ajo ka folur për sindromin e vdekjes së parakohshme.
“Të fjeturit e fëmijës, në një krevat me prindërit, ka të mirat e veta, por ka edhe një problem shumë të madh. Sipas specialistëve, të fjeturit e fëmijës në një krevat me prindërit, krijon shumë nxehtësi dhe fëmija, duke patur trurin të parritur dhe të papjekur, për pasojë edhe qendrat e frymëmarrjes janë të papjekura. Kështu, fëmija nuk arrin të realizojë frymëmarrje të plotë siç ndodh kur është i zgjuar. Frymëmarrja bëhet superficiale dhe në vend që të thithi oksigjenin dhe të nxjerrë anhidritin karbonik, e rithith anhidritin karbonik dhe kështu mund të ndodhë “sindromi i vdekjes së menjëhershme”. Ky rrezik shtohet edhe më shumë nëse prindërit, qoftë edhe njëri janë duhanpirës.
Kjo gjendje, ky sindrom, ndodh nga mosha 6 muaj deri ne moshen 5 vjeç. Prinder kini kujdes, në dhomat ku flenë fëmijët t'i mbani temperaturat nën 20 gradë. Mos i mbuloni dhe vishni trashë fëmijët kur i vini në gjumë. Fëmija më mirë të flejë në një mjedis të freskët, pasi është edhe më i shëndetshëm. Bakteret dhe viruset nuk janë shumë aktive kur temperaturat e mjedisit janë nën 20 gradë, kështu edhe sistemi imunitar fuqizohet edhe më shumë dhe minimizohet rreziku për sindromin e vdekjes së menjëhershme”, shkruan Gjika.