Kryeministri Rama tregon se kur do të ndodhë rritja e rrogave dhe bën premtimin tjetër: "Brenda 1 viti paga mesatare 900 euro"

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar qytetarët e Dibrës dhe Bulqizës që votuan PS në zgjedhjet 14 majit, në turin falenderues që kreu i qeverisë së bashku me të zgjedhurit në bashki janë duke bërë në qytetet e Shqipërisë këto ditë. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama foli edhe për rritjen e pagave, duke thënë se ligji për rritjen e tyre në Parlament do të miratohet në seancën plenare të kësaj të enjteje, teksa sipas tij kjo rritje do të aplikohet menjëherë dhe kategoritë që përfitojnë nga ky vendim do të marrin bashkë me majin edhe shtesën për muajin prill.
Ai tha se qytetarët do ta shikojnë se ai premtim nuk ishte elektoral, por një zotim që ka marrë përsipër qeveria shqiptare. Rama përsëriti edhe njëherë zotimin se brenda prillit të vitit të ardhshëm paga mesatare në Shqipëria do të jetë 900 euro.
“Ligji për rritjen e pagave kalon në parlament këtë javë. Arsyeja pse ligji ngeci është se unë i thosha qeverisë dhe deputetëve që do ju rritet rroga të fundit fare. Ministrat ranë dakord. Kur shkojmë në parlament deputetët thonë i duam pagat tani se lodhemi shumë. Me kalimin e ligjit të pagave që do garantojnë fillimin e rritjes së madhe që kemi thënë. Pagat e rritura do të merren që nga 1 Prill që shkoi. Kur të merret paga e parë të mos kujtojnë se ajo që është ajo e muajit. Do jetë edhe paga e prillit, dhe e majit. Votat i kemi marrë, zgjedhjet kanë mbaruar. Megjithëse ka kaluar kohë për shkak të vonesës, vonesën nuk e do e paguajnë ata që marrin pagën por do marrin atë që është premtuar. Prillin që vjen rritja do të përfundojnë të gjithë dhe do të kemi në Shqipëri një pagë mesatare 900 euro”, tha kreu i qeverisë ndër të tjera.
/News31