NEWS 9 Janar 2022, 12:36

Kryeministri Rama për protestën në selinë e PD: "Të gatshëm të sakrifikonin demokratët, mund të kishte gjakderdhje"

Kryeministri Rama për protestën në selinë e PD:

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me demokratët rreth protestës së 8 janarit. Ai u shpreh i bindur se as Lulzim Basha dhe as Sali Berisha nuk janë më të denjë për t’i drejtuar të djathtët.

Kreu i qeverisë akuzoi kreun aktual të PD dhe liderin historik Sali Berisha se duke “luajtur njëri në mbrojtje dhe tjetri në sulm” ishin gati të sakrifikonin demokratë për të “mbajtur kështjellën.

“Dje ka marrë një goditje të tmerrshme. Ky është një shkatërrim që nuk dëmton vetëm PD, si parti por dëmton institucionin demokratik të opozitës. Këta dy personazhe janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë. E pariciklueshme në funksion të së ardhmes. Asnjëri, as tjetri nuk janë zgjedhja ime. Këta të dy janë njëri të ndarë në dy pasqyra. Ngjarja mund të kishte degjeneruar në diçka të pangushëllueshme për PD, për demokratët dhe për Shqipërinë. Dy kufoma politike që e kanë marrë peng atë parti. Ishin të gatshëm ta luanin deri në fund lojën e mbrojtjes apo mbajtjes së kështjellës me gjakun e demokratëve.  Që të dy ishin gati të sakrifikonin njerëz.”

Po ashtu, ai tha se nuk u vë faj atyre që mendojnë se ai vetë është i “fituari” mes kësaj beteje midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, por shtoi se një zhvillim si ai i 8 janarit e dobëson kundërshtarin por godet vendin.

/News31