NEWS 31 Korrik 2022, 18:40

Korriku u mbyll me temperatura të larta, por si do të jetë java e parë e gushtit

Korriku u mbyll me temperatura të larta, por si do të jetë java e

Muaji korrik ka pasur disa prej ditëve më të nxehta të viteve të fundit, madje me temperatura rekord të vendosura në disa qytete të vendit.  Ashtu si këto javë, edhe ajo që na pret përpara, më saktë java e parë gushtit, parashikohet të jetë me mot të qëndrueshëm si dhe temperatura të cilat ende do të mbeten të larta.

Kështu, moti për të gjithë javën parashikohet kryesisht i kthjellët, por nuk do të mungojnë edhe alternimet e vranësirave të pakta, hera-herës edhe mesatare. Në relievet malore në lindje si dhe zonën e jugut, vranësirat hera-herës do të jenë deri të dendura por megjithatë kalimtare.

Sipas meterologëve, era përgjatë këtyre ditëve do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut dhe shpejtësi mesatare 1-5m/s ndërsa në bregdet dhe lugina, me rrahje deri në 8-10m/s.

Vlen për t’u theksuar se duke filluar nga dita e mërkurë, mbi vendin tonë do të vijë sërish një valë e të nxehti me masa ajrore nga Afrika e Veriut, si dhe temperatura të cilat parashikohet të presin përsëri vlerat 38 deri në 40°C.

Pra, i nxehti vazhdon edhe në gusht, të paktën në javën e parë.